Secondary Adv

Shfrytëzimi i kapaciteteve në industri bie sërish në fund të 2025

Industria dhe ndërtimi shënuan rënie të kapaciteteve, ndërsa shërbimet dhe tregtia patën rritje.

Rënie e kapaciteteve në industri dhe ndërtim

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin prodhues ka pësuar rënie të mëtejshme në tremujorin e fundit të vitit 2025. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, bizneset e sektorit të industrisë raportuan përsëri tkurrje të kapacitetit prodhues, njëlloj si në tremujorin e tretë të vitit. Shfrytëzim më të ulët të kapaciteteve prodhuese raportuan edhe bizneset e sektorit të ndërtimit, ndërkohë që norma e shfrytëzimit u rrit në sektorin e shërbimeve dhe atë të tregtisë.

 

Ecuria gjatë vitit 2025 dhe rritja ekonomike

Treguesi i shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve ka shfaqur në përgjithësi një ecuri rënëse gjatë gjithë vitit 2025, në përputhje me ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit ekonomia shqiptare u rrit me 3.75%. Ndërkohë, për nëntë muajt e parë të vitit, rritja ekonomike ishte 3.7%, në ngadalësim nga rreth 4% që ishte regjistruar në vitin 2024.

 

Dobësimi i sektorëve prodhues

Ekonomia shqiptare vijon të vuajë rënien e sektorëve prodhues. Bujqësia dhe industria kanë qenë në rënie për disa tremujorë radhazi, rënie që u konfirmua edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas INSTAT, prodhimi bruto në sektorin e bujqësisë ra me 1.7%, ndërsa në sektorin e industrisë me 4.8%. Rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga shërbimet e lidhura me turizmin, sektori i ndërtimit dhe rritja e pagave në sektorin publik.

 

Vlerësimi i Bankës së Shqipërisë

Në një prononcim për Monitor, Banka e Shqipërisë vlerësoi se në fund të vitit 2025 rritja ekonomike ndodhej pranë potencialit të saj afatmesëm. Megjithatë, institucioni theksoi se viti 2025 nxori në pah probleme strukturore të ekonomisë shqiptare, pasi baza sektoriale e rritjes mbetet e ngushtë dhe tregu i punës po shfaq mungesa në rritje, si pasojë e tendencave demografike, emigracionit dhe mospërputhjes mes aftësive të kërkuara nga punëdhënësit dhe atyre të disponuara nga punëmarrësit.

 

Analiza sektoriale dhe faktorët tranzitorë

Në analizën sektoriale, Banka e Shqipërisë nënvizon se rritja ekonomike e dy viteve të fundit është mbështetur nga zgjerimi i sektorit të ndërtimit dhe i shërbimeve, me një kontribut dominues nga të ardhurat e turizmit, ndërkohë që industria dhe bujqësia kanë shënuar rënie të aktivitetit. Sipas saj, kjo ecuri pasqyron një kombinim faktorësh tranzitorë dhe strukturorë.

 

Faktorët tranzitorë lidhen me rritjen e shpejtë të kërkesës për turizëm në Shqipëri dhe rajon, e cila ka nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe ndërtimit për të përballuar nevojat për kapacitete akomoduese. Në të kundërt, kërkesa për produkte industriale ka qenë relativisht e dobët dhe çmimet në rënie, veçanërisht në segmentet tradicionale të eksportit shqiptar. Rritja e kërkesës në turizëm dhe ndërtim i ka vendosur këta sektorë në pozita më konkurruese në tregjet e punës dhe të kapitalit, duke e vështirësuar më tej pozicionin e industrisë dhe bujqësisë.

 

Sfidat strukturore dhe perspektiva

Sipas Bankës së Shqipërisë, në një horizont afatmesëm, maturimi i sektorit të turizmit dhe një balancim më i mirë i kërkesës dhe ofertës në ekonomi pritet të sjellin zbutjen e këtyre presioneve gjatë dy viteve në vijim. Nga ana tjetër, faktorët strukturorë pasqyrojnë probleme të qëndrueshme në sektorët e industrisë dhe shërbimeve, të lidhura me nivelin relativisht të ulët të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare. Adresimi i këtyre problemeve kërkon angazhim nga bizneset private dhe reforma të mëtejshme strukturore që synojnë rritjen e produktivitetit të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat